Të dashur miq dhe familje shqiptare,
Në vizitën tonë të parë në Shqipëri, unë zura një mike të mirë – një motër të vërtetë. Ishim ulur e po flisnim së bashku – unë duke u përpjekur të qëndroja zgjuar si pasojë e fluturimit të gjatë dhe ndryshimit të orës, dhe shoqja ime e re duke u përpjekur të vinte djalin e saj të vogël në gjumë mbrapa një skene të ngritur në sheshin Nënë Tereza. Ndërsa Luis Palau po ftonte mijëra t’i jepnin jetën e tyre Jezusit, ne i hapëm zemrat njëra-tjetrës në lidhje me dëshirën tonë të ndërsjellë për të rritur fëmijë që do ta ndiqnin Jezusin me gjithë zemër, si dhe frikërat se vetë thyerjet tona mund të bëheshin pengesë për këtë. Sot e kësaj dite akoma nuk e kuptoj si u lidhëm aq shpejt dhe ngushtësisht në atë udhëtim të parë në Shqipëri. Por ndërsa fluturimet tona për t’u kthyer në këtë vend u bënë të shpeshta, u lidhëm edhe më shumë, e ndërsa edhe mikesha ime na ka vizituar këtu në SHBA, çdo ndryshim kulturor është venitur duke u zhvilluar një marrëdhënie e vërtetë motërore.
Ndërsa Edi po ndante me mua zemrën e saj, doli në pah diçka: Shqiptarët kanë shumë pak libra të krishterë në gjuhën e tyre. Dhe ndërsa ajo kishte lexuar shumë libra për prindërimin në anglisht, e kishte ëndërr që një ditë të lexonte një të tillë në shqip. Atë ditë, me grupin e lavdërimit të Luis Palaut në sfond që gati po e mbyste bisedën tonë dhe dritat që ndizeshin e fikeshin në skenë, një shpresë lindi në zemrën time:
A do të ishim në gjendje t’u jepnim nënave dhe baballarëve shqiptarë një libër shprese dhe ndihme për rritjen e brezit të ardhshëm të ndjekësve të Jezusit në gjuhën e tyre?
Mund ta merrni me mend tani gëzimin tim ndërsa prezantojmë këtë përkthim të librit tonë, Rritja e Ndjekësve Pasionantë për Jezusin në gjuhën shqipe!
Dhe tani lutem për secilin prej jush që do të lexojë fjalët tona. Pavarësisht nëse jetoni në Alpet madhështore shqiptare në veri, përgjatë vijës bregdetare mahnitëse në jug, apo në fushat midis tyre, ky libër ju sjelltë mençurinë që ju nevojitet për të rritur një brez shqiptarësh që do të ndjekin Jezusin me pasion.
Derisa të takohemi ballë për ballë,
Diane dhe Phil Comer