Si student (Xhosh Mek-Dauell) i Kolegjit “Kellog”1, po përgatitesha të vazhdoja studimet për juridik dhe më pas t’i futesha politikës. Nga gjithë studentët e atyshëm, më ra në sy një grup studentësh që jetonin ndryshe. Në vend që të jetonin për paranë, suksesin apo famën, këta studentë e donin me të vërtetë njëri-tjetrin. Unë vija nga një familje me probleme, ku isha përdhunuar nga punëtori i fermës sonë, Uejn Bejli, çdo javë, për shtatë vjet. Ndaj thellë në shpirt e dëshiroja fort atë dashuri që ata dukej se përjetonin dhe e shfaqnin me sinqeritet. Dashuria e tyre për të gjithë njerëzit, si për ata brenda, dhe për ata jashtë grupit të tyre, më dukej e çuditshme. Po thellë në shpirt e dëshiroja shumë ta kisha edhe unë.
Një të premte mbasdite vonë, isha ulur vetëm në një bibliotekë në Londër, në Angli, i kapitur pas muajsh të tërë kërkimesh. Papritur dëgjova një si zë që më foli. Normalisht nuk para dëgjoj zëra, ndaj u shokova dhe u turbullova shumë. Ai zë më tha: Xhosh, t’i nuk ke as edhe një provë ku të kapesh. Ia zura menjëherë gojën këtij zëri. Në fund të fundit qëllimi im ishte të hidhja poshtë krishterimin, jo ta besoja atë. Është interesante që pothuaj çdo ditë tjetër pas asaj dite dëgjova të njëjtin zë, por më të fortë, më të fortë dhe akoma më të fortë! Sa më shumë i analizoja provat, aq më tepër më bënin të arrija në përfundimin e kundërt të asaj që doja të provoja.
Kisha qëllim të hidhja poshtë krishterimin, por puna kërkimore më bëri të arrija në përfundimin që unë mund t’i besoja Biblës se Jezusi është Perëndi, dhe se Ai u ringjall nga të vdekurit në ditën e tretë.
Edhe pse e dija që gjithçka qe e vërtetë, në fillim nuk desha t’ia përkushtoj jetën ndjekjes së Jezusit. Kisha frikë nga ajo që do të mendonin njerëzit për mua dhe nga kostoja e të qenit besimtar. Por tani, pas pesë dekadash që ndjek Krishtin, mund ta them me gjithë zemër se ishte vendimi më i mirë i jetës sime. Provat më tërhoqën vëmendjen, por ishte dashuria e Perëndisë, të cilën e pashë të shfaqur në jetët e atyre studentëve në fillim të udhëtimit tim, ajo që më pushtoi zemrën përfundimisht.
“Nuk ka një formë të hershme të krishterimit, të njohur për ne – ndonëse janë disa të tilla që janë shpikur nga studiues mendjehollë – që në thelb të tyre nuk pohojnë se pas vdekjes së turpshme të Jezusit, Perëndia e ringjalli atë përsëri. Pothuaj në kohën e Palit, kur kemi edhe të dhënat e shkruara më të hershme, ringjallja e Jezusit nuk është vetëm një element besimi i shkëputur. Ringjallja është endur në thelb të strukturës së jetës dhe mendimeve të krishtera.” – N. T. Rajt
“Disa drurë bëjnë më shumë flakë kur digjen së bashku; por lëre njërin mënjanë në vatrën e ftohtë të oxhakut dhe zjarri do të shuhet. Kështu është me marrëdhëniet e tua me të krishterë të tjerë.” – Xhosh Mek-Dauell
Ringjallja dhe ti është një libër, të cilin, im bir, Shoni, dhe unë, e kemi shkruar së bashku. Nëse je besimtar, shpresojmë që ky libër të të japë disa prova, të cilat do të të ndihmojnë të kuptosh se besimi yt është i mbështetur mbi themele të forta. Nëse je dakord, mendo që t’ia japësh këtë libër ndonjë shoku që nuk është i krishterë?
Nëse je skeptik, e vetmja gjë që të kërkojmë është ta lexosh këtë libër me mendje të hapur. Nëse Jezusi u ringjall vërtet nga të vdekurit, duke vërtetuar kështu që Ai është Perëndi (Romakëve 1:4), atëherë s’ka asgjë më të rëndësishme në jetë sesa të ndjekësh Atë. Nëse Jezusi nuk u ringjall nga të vdekurit, atëherë ti nuk ke asgjë për të humbur. E gjitha është veç një shaka e keqe.
Askush nuk e ka ndryshuar botën më shumë sesa Jezu Krishti. Dhe Ai akoma ndryshon jetë edhe sot. Tani, le të shqyrtojmë provat për ringjalljen dhe se çdo të thotë kjo për jetën tënde.