Letrat e Hirziut

Letrat e Hirziut

Author: C. S. Lewis
Category: Apologjetikë

Clive Staples Lewis (1898-1963) ishte një nga intelektualët më të mëdhenj të shekullit XX dhe pa diskutim shkrimtari më me ndikim i kohës. Ai ishte pedagog dhe udhëheqës shkencor për letërsinë angleze në universitetin e Oksfordit deri në vitin 1954, kur edhe u zgjodh njëzëri përgjegjës i departamentit të anglishtes së Mesjetës dhe Rilindjes në universitetin e Kembrixhit, post ku qëndroi derisa doli në pension. Shkroi mbi 30 libra, duke bërë për vete një publik të larmishëm dhe duke vazhduar të tërheqë mijëra lexues të rinj çdo vit, edhe sot e kësaj dite. Ndër veprat e tij më të spikatura dhe më të njohura janë Kronikat e Narnias, Trilogjia kozmike, Katër dashuritë, Letrat e Hirziut dhe Thjesht krishtërim.


“Mënyra më e mirë për ta zbuar djallin, nëse u reziston teksteve të Shkrimit, është ta përqeshësh dhe ta përçmosh, pasi ai nuk e duron dot fyerjen.” – Martin Luteri

“Djalli . . . ky shpirt krenar . . .nuk duron dot kur e tallin.”  – Thomas More


Nuk kam ndërmend të sqaroj si më ra ndër duar letërkëmbimi që po i ofroj sot publikut. Për sa u përket djajve, ne si racë njerëzore mund të biem në dy gabime, sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Njëri është mosbesimi në ekzistencën e tyre. Tjetri është besimi dhe interesi i tepruar e i pashëndetshëm për ta. Ata vetë janë njëlloj të kënaqur me të dy gabimet dhe e brohorasin materialistin me po aq kënaqësi sa edhe magjistarin. Stili që kam përdorur në këtë libër mund të mësohet lehtësisht nga kushdo që arrin të kuptojë mekanizmin; por keqdashësit dhe të pamaturit, të cilët mund ta përdorin atë për keq, nuk kanë për ta mësuar nga unë.

I këshilloj lexuesit të kenë parasysh se djalli është gënjeshtar. Jo gjithçka që thotë Hirziu duhet marrë si e vërtetë, edhe duke e parë nga këndvështrimi i tij. Unë nuk kam bërë asnjë përpjekje të identifikoj ndonjë nga qeniet njerëzore; por mendoj se ka pak gjasa që portretet x si, Atë Spajku apo nëna e pacientit, të jenë të plotë si karaktere. Edhe në Ferr mund të shihen ëndrra me sy hapur, ashtu si në Tokë. Së fundmi, më duhet të shtoj se nuk kam bërë asnjë përpjekje për t’i vendosur letrat në mënyrë kronologjike. Ajo me numër XVII duket të jetë shkruar para se racionimi i kohës të bëhej diçka e rëndësishme; por përgjithësisht metoda djallëzore e llogaritjes së kohës duket se nuk ka lidhje me kohën tokësore dhe unë nuk jam munduar ta kopjoj atë. Historia e luftës në Europë, përveçse në rastet kur ndikonte në gjendjen shpirtërore të një qenieje njerëzore, duket qartë që nuk i interesonte Hirziut.