Craig L. BLomBerg është profesor i dalluar i Dhiatës së re në seminarin e Denverit në SHBA. Ka fituar gradën Doktor i shkencave Filozofike si studiues i Dhiatës së re nga universiteti i Aberdin në Skoci. Gjithashtu, ka punuar si kërkues shkencor në universitetin e Kembrixhit në Angli dhe është autor shumë i njohur librash dhe artikujsh.
Kurrë mos e merrni lehtë interpretimin biblik. Kurrë mos supozoni se keni arritur ose mësuar gjithçka që mund të mësoni. Bëhuni një mësues i përhershëm, por gjithmonë aplikoni atë që po mësoni te vetja në situata reale. Interpretimi i saktë ka për qëllim të çojë në bindje. – Craig L. Blomberg
“Profesor Craig Blomberg njihet dhe vlerësohet botërisht në Amerikë dhe në shumë vende të tjera si një ndër akademikët më të respektuar ungjillorë të kohës sonë. Por atë e njohin edhe shumë njerëz të thjeshtë, sepse kalibri i tij akademik u popullarizua sidomos përmes librit Çështja e Krishtit të Lee Strobel.
Zbulesa konsiderohet si libri më i vështirë i Biblës për t’u kuptuar dhe shpesh lihet pa u lexuar, ndërkohë që Zbulesa është i vetmi libër që thotë shprehimisht se leximi i kësaj profecie bekon. Të krishterët në përgjithësi duket se nuk kanë besim tek vetja për ta kuptuar, duke e lexuar Zbulesën vetë, dhe gjithmonë synojnë shpjegimet e të tjerëve, që mund të variojnë në një gamë shumë të gjerë këndvështrimesh dhe interpretimesh.
As profesor Blomberg, dhe as ne, botuesit, nuk presim që çdo lexues të pajtohet me të në çdo mendim për Zbulesën, por shpresojmë që thjeshtësia dhe qartësia e arsyetimit do të inkurajojnë mendimin e çliruar nga paragjykimet dhe pasiguria, që të përtypë bekimin e Zbulesës, duke e lexuar vetë.”
Ylli Doçi
Drejtor Kombëtar i IJR-së për Shqipërinë dhe Kosovën